Çartet Ramushi i çon selam Vuçiqit

LAJME


Kandidati i AAK-së për president, Ramush Haradinaj, ka thënë se zgjedhjet e të dielës janë referendum për qytetarët e Kosovës.

“Qytetarët do të votojnë të dielën dhe do të vendosin. Kemi thënë që këto zgjedhje janë edhe referendum. Me iu thënë të drejtën janë referendum, të paktën për dy tema me rëndësi. E para është statusi jonë ndërkombëtar ose fati jonë në integrimet euro-atlantike. Ne jemi shpallur shtet i pavarur, por ka 20 vjet nga çlirimi që punojmë së bashku – edhe me faktorin ndërkombëtar – që ta finalizojmë shtetësinë tonë dhe të jemi anëtar krenar i OKB-së, NATO-s, por edhe të anëtarësohemi në BE”.

“Tash kur janë bërë 20 vjet dhe ende nuk jemi afër këtyre synimeve, atëherë shtrohet pyetja se çka do të bëjmë. A do të presim edhe 20 vjet? Këtë të diel vendosim se a do të presim edhe 20 vjet, apo kemi me kry punë sa i përket statusit ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimit tonë në integrimet euro-atlantike”.Ai, edhe në fushatën përmbyllëse për zgjedhjet e 14 shkurtit, ka thënë se Kosova po bllokohet nga Serbia dhe presidenti i saj Aleksandar Vuçiq.

Haradinaj ka përsëritur edhe një herë çështjen e bashkimit me Shqipërinë, por këtë herë duke i çuar një selam presidentit serb, njofton Klan Kosova.

Ai e ka paralajmëruar Vuçiqin se nëse ai bëhet president, Kosova do të bashkohet me Shqipërinë në vitin 2025, nëse Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës.

“Arsyeja pse jemi të bllokuar është Serbia, [Aleksandar] Vuçiqi dhe janë pengesat që na bën Serbia dhe Vuçiqi. Nëse votohet AAK-ja, atëherë votohem edhe unë për president të vendit. Si president i vendit do t’i kryej punët e Kosovës duke mos e përfill Serbinë. Do të shkojmë në logjikën e veprimeve që i kemi bërë në të kaluarën me Ushtrinë, Trepçën dhe pavarësimin energjetik”.

“Kosova do të ecë përpara. Pse jam kaq i sigurt se Kosova do të ecë përpara? Nëse në vitin 2025 nuk jemi anëtar i OKB-së, NATO-s dhe nuk jemi në përparim të integrimit në BE, unë do të punoj që ne bashkë me votë të vendosim për union me Shqipërinë”.

“Nëse ky drejtim nuk i pëlqen [Aleksandar] Vuçiqit dhe frikësohet nga ky drejtim, unë, në emër të juajin, i them sot ‘Heku prej rrugës së Kosovës, lejo Kosovën që të ecë rrugës vetë – rrugës së anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Njihe Kosovën që të jetojmë në paqe. Nëse jo, populli i Kosovës do të ecë rrugës së vetë dhe nesër (fjala është për 2025) shkojmë në union me Shqipërinë’”.