Evropa u bën thirrje 5 shteteve anëtare të njohin Kosovën – i jep mesazh të fortë Serbisë!

LAJME


Komisioni për Politikën e Jashtme në Parlamentin Europian ka votuar dy ditë më parë Raportin për Kosovën të prezantuar nga raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon që në dhjetor të vitit 2020. Detajet kanë dalë vetëm gjatë ditës së djeshme, duke bërë me dije se Parlamenti Europian i ka bërë thirrje të pesë shteteve anëtare që ende nuk e njohin Kosovën, që të përparojnë në këtë drejtim.

Në raportin që ka paraqitur raportuesja për Kosovën, Von Cramon, ishte shprehur pakënaqësi për mungesën e progresit në zbatimin e agjendës së reformave evropiane, në luftën kundër korrupsionit dhe në fushën e sundimit të ligjit. Këto pakënaqësi kanë mbetur pjesë e tekstit të raportit për Kosovën. Në raport iu është kërkuar edhe Kosovës edhe Serbisë që të angazhohen më tepër në procesin e dialogut, i është kërkuar Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Europian që të krijojë mekanizmat e duhur dhe të përshtatshëm që të vëzhgohet ecuria e procesit, si dhe është propozuar raportim i rregullt në Parlamentin Europian për zhvillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga unioni. Gjatë bisedimeve në Parlament përpara votimit, kishte kërkesa për heqjen e pjesës ku i kërkohej pesë shteteve anëtare, Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia, që të njohin pavarësinë e Kosovës, kërkesë që është hedhur poshtë nga këmbëngulja e shteteve anëtare që tashmë e njohin Kosovën si shtet.

Në një deklaratë të lëshuar nga PE-ja pas votimit të Raportit, thuhet se “deputetët nënvizojnë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe njohja nga të gjitha shtetet e BE-së do të ishte në dobi të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”. Ligjvënësit europianë, kanë kërkuar veç njohjes edhe ndihmën që duhet t’i jepet Kosovës në Procesin e integrimit evropian. Një kërkesë e cila ka zënë një vend të veçantë ka qenë ajo për liberalizimin e vizave, aq më tepër që çdo kërkesë dhe kusht të vënë nga BE, Kosova e ka plotësuar tashmë. Raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon, e cila edhe e kishte përpiluar tekstin e raportit, është shprehur e kënaqur me miratimin e raportit në tërësi dhe amendamenteve në veçanti.

Ky rezultat tregon se shumica në Parlamentin Evropian e mbështesin Kosovën në rrugën evropiane. Ne qartë shohim potencialin e këtij vendi, por edhe të Bashkimit Evropian. Por, ende ka punë përpara për Kosovën. Së pari na duhet një stabilitet politikë për zbatimin e reformave të nevojshme”, ka thënë Von Cramon, teksa shtoi se edhe BE-ja ka detyra shtëpie për të bërë. “Prandaj kemi bërë thirrje për Këshillin (e BE-së) që më në fund të miratojë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Von Cramon.

Kërkesat ndaj Kosovës

Deputetët europianë, gjithsesi kanë shprehur keqardhje për vazhdimin e jostabilitetit politik dhe u kanë bërë thirrje të gjitha forcave politike në Kosovë që të angazhohen për reformën e sistemit politik, në mënyrë që të përmirësohet qartësia ligjore dhe procesi i formimit të qeverisë. Po ashtu, kërkohet që Kosova të sigurojë reformën e sistemit gjyqësor në mënyrë që ai të jetë më transparent, efikas dhe pa ndërhyrje politike. Në të njëjtën mënyrë, kërkohet edhe reforma e administratës publike.

Në raport përmendet se Kosova ka një “mjedis pluralist dhe të gjallë mediatik”, por kërkohet që të garantohet transparencë e plotë e pronësisë së mediave dhe pavarësia dhe liria nga ndikimet politike. Anëtarët e Parlamentit Evropian kanë përsëritur thirrjet që raportet e Kosovës me Serbinë të mbetet prioritet dhe kusht për avancimin e të dyja vendeve në procesin e integrimeve evropiane. Ata kanë kërkuar nga qeveritë e të dyja shteteve që të përmbahen nga çfarëdo veprime që mund të pengojnë krijimin e besimit mes palëve, që do ta vinin në rrezik vazhdimin konstruktiv të dialogut.