Gazetarja shqiptare bën Vuçiçin për ujë të ftohtë, ai nxjerr shaminë të fshijë djersët

LAJME


Ka qenë gazetarja e KosovaPress, Nerënxa Jakupi, ajo që ka vënë në siklet presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me një pyetje që i ka drejtuar në mënyrë të befasishme në mes të Beogradit, gjatë një takimi me mediat.

Jakupi e ka pyetur Vuçiçin se cilat janë kushtet që ka Serbia për njohjen e Kosovës si shtet. Vuçiç ngriu një moment, duke dashur të tregohej i ftohtë ndaj gazetares shqiptare e të mos i kthente asaj përgjigje, por u detyrua të fliste.

Ai përsëriti qëndrimin tashmë të njohur se dëshiron kompromis me shqiptarët ku të dyja palët do të ndjenin dhembje. Ndonëse pyetja iu bë në gjuhën angleze, ai është përgjigjur në serbisht, ndërsa pyetjeve të tjera iu ka kthyer përgjigje edhe në anglisht.

Mirëpo, pas përfundimit të përgjigjes së dhënë ndaj gazetares së Kosovës, teksa një tjetër mori fjalën për të bërë pyetjen, Vuçiç nuk nguroi të merrte një shami dhe të fshinte djersët, i vinë në siklet.