Letra që kërkon largimin e Borrell-it pas vizitës në Moskë: U poshtërua

LAJME


Tetëdhjetë e një anëtarë të Parlamentit Evropian po kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Jashtëm Evropian Josep Borrel pas një vizite në Moskë, të cilën ata e konsiderojnë si një turp, njoftoi të martën deputeti estonez Riho Terras nga Partia Popullore Evropiane (EPP).

Letra me kërkesën për dorëheqjen e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë u nënshkrua kryesisht nga “populistët”, por edhe nga konservatorët, reformistët dhe disa liberalë. Të vetëdijshëm se iniciativa e tyre do të jetë e vështirë të arrihet, deputetët besojnë se Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen duhet të heqë Borrellin nëse ai nuk jep dorëheqjen. Ndryshimi i politikës së BE ndaj Rusisë

“Faleminderit të gjithë 81 deputetëve që nënshkruan letrën dhe shpresoj për një ndryshim të rëndësishëm në politikën e BE ndaj Rusisë autoritare”, tha Terras, organizatori i nismës, për Twitter. Deputetët thonë se “Borrrell vendosi të shkojë në Moskë me iniciativën e tij, duke injoruar krimet nga regjimi i Putinit të kryera kundër kundërshtarëve politikë”. Ata gjithashtu pretendojnë se Borrell nuk mbrojti interesat evropiane gjatë vizitës.

“Në vend që të dënojë me forcë arrestimin e Alexei Navalny dhe ta vizitojë atë në burg, Borrell deklaroi gabimisht se nuk flitej për sanksione të BE për burgimin e Navalny-t. Kjo deklaratë është e pasaktë, sepse disa shtete anëtare nga niveli më i lartë bënë thirrje për vendosjen e sanksioneve”, thuhet në letër.

Borrell do të flasë për vizitën e tij në Rusi të martën më vonë në seancën plenare të PE dhe do të ketë mundësinë të mbrohet kundër akuzave që me siguri do të pasojnë. Komisioni Evropian po mbron Borrellin. Komisioni qëndroi në mbrojtje të tij të hënën. “Udhëtimi ishte i domosdoshëm. Nga udhëtimi nuk hiqet dorë sepse duket i vështirë,” tha zëdhënësi i KE Eric Mamer.

Borrell kritikohet në BE për mos reagim ndërsa ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov e quajti BE një “partner jo të besueshëm” në një konferencë të përbashkët shtypi, duke kritikuar Shtetet e Bashkuara në Moskë për sanksione ndaj Kubës dhe duke mos përmendur përfshirjen e Rusisë në luftën në Ukrainë . Si kulm i poshtërimit, përmendet se gjatë bisedës me Lavrov, ai mësoi për dëbimin e tre diplomatëve evropianë, përmes rrjeteve sociale.