Sateliti spiun që mund të depërtojë edhe muret e ndërtesave – ai mund të bëjë fotografi të të kristalta edhe përmes reve

LAJME


Një satelit i ri që po rrotullohet rreth Tokës mund të krijojë imazhe me rezolucion të lartë të pothuajse çdo vendi në planetin tonë duke përdorur radarë – dhe është mjaft i fuqishëm “për të depërtuar në muret e ndërtesave”.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Capella-2, i projektuar nga Capella Space, përdor Radarin e Aperturës Sintetike (SAR), i cili mund të shohë Tokën pavarësisht nga dukshmëria e ajrit, mbulimi i reve ose koha e ditës – dhe është e njëjta teknologji që NASA ka përdorur që nga vitet 1970.

Siç thuhet më tej, SAR lëshon sinjale të fuqishme radioje për të ‘ndriçuar’ një pikë interesi dhe mbledh të dhëna në jehonën e secilit impuls që kthehet prapa, duke i interpretuar ato për të krijuar një imazh të hollësishëm.

Sateliti është i aftë për imazhe me rezolucion 50cm x 50cm me azhurnimin e tij të fundit të quajtur mënyra Spotlight që lejon ekspozime të gjata deri në 60 sekonda mbi një zonë me interes (AOI), e cila rezulton në imazhe shumë të qarta.

Sipas Daily Mail, Capella aktualisht është duke testuar një pajisje të vetme, por ka arritur kontrata me agjencitë qeveritare, duke përfshirë Zyrën Kombëtare të Zbulimit dhe Forcën Ajrore të SHBA-së.

Por Capella këmbëngul se teknologjia nuk mund të përdoret për të spiunuar njerëzit në shtëpitë e tyre, dhe megjithëse valët e radarit mund të depërtojnë në mure, ata thonë se nuk mund të imazhojnë asgjë brenda.

Capella thotë se inovacioni i tyre është një mënyrë për të ndihmuar njerëzit në të gjithë botën të shfrytëzojnë hapësirën për të përmirësuar biznesin dhe jetën e tyre duke monitoruar gjithçka, nga klima te fushat e të korrave dhe infrastruktura